Site icon Telegrafi

MPJD alarmon QUINT-in e BE-në për arrestimin e shtetasit të Kosovës nga Serbia

Ministria e Jashtme e Kosovës ka konfirmuar se personi i ndaluar të shtunën nga autoritetet e Serbisë në kufirin me Hungarinë është shtetas i Kosovës dhe se për këtë kanë njoftuar misionet diplomatike.

Mediat serbe kanë përcjellur sot deklaratën e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, sipas të cilit policia e Serbisë sot, e shtunë, 12 tetor 2024, në ora 06.00 të mëngjesit, në vendkalimin kufitar Serbi-Hungari, në Horgosh, ka arrestuar personin me inicialet M.I., shtetas i Republikës së Kosovës, nën akuzat për gjoja krime të luftës kundër popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë më 1999.

Ministri i brendshëm serb pretendon në deklaratën e tij se rasti ka të bëjë me gjoja rrëmbimin një çifti bashkëshortor të etnisë serbe në Prishtinë, nga M.I. në qershor 1999, të cilët pastaj sipas pretendimeve të Daçiq qenkan dërguar në një burg të improvizuar, ku i qenkan nënshtruar dhunës fizike dhe psikologjike.

Shtetasit të Kosovës M.I. organet policore serbe i kanë shqiptuar masën e arrestit prej 48 orëve, ndërsa thuhet që pas kësaj periudhe ai do t’i dorëzohet Prokurorisë së Lartë për Krime të Luftës së Beogradit për procedura të mëtejme.

Ministria e Jashtme e Kosovës njofton se poashtu sot, rreth orës 08:00 të mëngjesit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës u ndalua dhe u mor në pyetje nga policia kufitare serbe në pikën kufitare të Merdares, ndërsa po udhëtonte me autobus nëpër Serbi drejt Republikës Federale të Gjermanisë.

“Pas disa orësh ndalimi, z. Berisha u lirua dhe po vazhdon udhëtimin drejt Gjermanisë”, vijon njoftimi i MPJD.

MPJD thotë se lidhur me këto raste Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka reaguar menjëherë duke i dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për të konfirmuar vërtetësinë e rastit të arrestimit dhe për të siguruar informacionet relevante, përfshirë identitetin e plotë të personit të arrestuar, rrethanat e arrestit dhe lokacionin aktual ku ai po mbahet.

“Për këtë çështje janë njoftuar edhe misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi, si dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi. Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka njoftuar misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Kosovë dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

Exit mobile version