Site icon Telegrafi

MPJD: Kemi përfunduar procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj, po presim pëlqimet nga shtetet pritëse

Kanë kaluar më shumë se katër muaj që kur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka shkarkuar 13 ambasadorë në shtete të ndryshme, dhe ende nuk ka emëruar asnjë ambasador të ri.

MPJD në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se ka përfunduar të gjitha procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka përfunduar të gjitha procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj. Aktualisht ndodhemi në fazën e pritjes së pëlqimeve nga shtetet pritëse.  Pasi të përfundoj ky proces i rregullt, MPJD-ja do ta informoj opinionin publik për të gjitha detajet”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Kujtojmë se në fillim të shtatorit, kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë nga radhët e LVV-së, Haki Abazi kishte thënë se procesi i emërimit të ambasadorëve pritet të përfundojë javët në vazhdim.

Lexo po ashtu Kosova katër muaj pa ambasadorë në disa shtete, MPJ hesht

Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ditë më parë në një prononcim për Telegrafin kritikoi gjithë procesin e emërimit të ambasadorëve të rinj, duke thënë se përveç që ky proces po shkon ngadalë, është edhe pa transparencë.

“Meqenëse Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ulur nivelin e përfaqësimit në nivel të Ngarkuarish me Punë në 22 misione diplomatike të saj, e një misionit i ka vënë drynin, procesi i përzgjedhjes së Ambasadorëve të rinj është duke shkuar shumë ngadalë dhe totalisht pa transparencë”, theksoi Musliu-Shoshi. /Telegrafi/

Exit mobile version