Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka lëshuar një deklaratë, për të sqaruar arsyet pse nuk është bërë kërkesa për anëtarësim të vendit në UNESCO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Sipas MPJ-së, që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli, mosdorëzimi është bërë pas koordinimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian.
“Ministria e Punëve të Jashtme informon opinionin e gjerë publik se procesi i anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Organizata rajonale, kontinentale dhe globale, gjegjësisht në OKB dhe agjencitë e ndërlidhura me të është dhe mbetet synim prioritar i Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.
“Republika e Kosovës deri më tash është anëtarësuar në mbi gjashtëdhjetë Organizata rajonale, kontinetale dhe globale dhe secili veprim i aplikimit, procedurave apo procesit të anëtarësimit bëhet në koordinim të plotë dhe të ngushtë me aleatët strategjik dhe historikë të Kosovës, respektivisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Kosova është aleate e perëndimit dhe kjo aleancë është e përjetshme dhe e pakthyeshme”, thekson MPJ.
Sipas MPJ-së, “shtyrja pragmatike e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Interpol dhe UNESCO është e mbështetur në koordinimin e plotë dhe të ngushtë me SHBA-të dhe vendet e tjera të Kuintit”.
“Ministria e Punëve të Jashtme ri-thekson se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme vepron në mënyrë koordinuar, të matur, të përgjegjshme dhe në mbrojtje të interesit nacional të Republikës së Kosovës. Çdo pretendim tjetër për krijimin e narracionit negativ tek publiku është i paarsyeshëm dhe joprofesional”, thuhet në deklaratë.
Ministria e Jashtme ka thënë se vlerëson se këto veprime i kontribuojnë forcimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve me shtetet partnere dhe aleate, garantimit të sigurisë si dhe promovimit të paqes në rajon.