Palau ka bërë tërheqjen e njohjes për Pavarësinë e Kosovës. Një masë e tillë, sipas raportimeve u bë e ditur nga Presidenti i Palaut, Tommy Remengesau, i cili u takua me përfaqësues të institucioneve serbe në Beograd.
Ndryshe në një dokument që po qarkullon në media mund të shihet edhe një notë diplomatike nga Ministria e Shtetit e Palaut.
Palau, vend që e njohu Kosovën në vitin 2009, tha se do të mbështeste çdo marrëveshje të arritur mes të dy palëve.
“Dialogu është i rëndësishëm dhe mekanizmi i preferuar për të arritur një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe afatgjate”, shkruan në notën diplomatike.
“Deri atëherë”, siç thuhet tutje, “Republika e Palaut tërheq çfarëdo vendimi të së kaluarës apo deklarim që ka të bëjë me çështjen e statusit të Kosovës”.
Por Ministria e Jashtme, po i cilëson si propaganda këto raportime të mediave serbe, dhe e ka mohuar mundësinë që Palau ta tërheq njohjen.
Këshilltari në MPJ, Fatmir Haxholli ka thënë për Telegrafin se protestat që po bëhen në Serbi, po e detyrojnë diplomacinë serbe të “dinamizojë përdorimin e gënjeshtrave”. /Telegrafi/