Site icon Telegrafi

MPJ: Shpenzimet për transportin dhe akomodimin jashtë vendit të familjarëve dhe pacientëve të lënduar nga rasti në Koçan, i mbulon Qeveria e RMV-së

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme sot kumtoi se shpenzimet për transport dhe akomodim për familjet e pacientëve të lënduar në aksidentin e Koçanit, të cilët aktualisht janë duke u mjekuar jashtë vendit i mbulon plotësisht Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes Shërbimit të punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë.

Njëherësh, nga Ministria u bëjnë thirrje familjeve të pacientëve që kanë nevojë për transport apo akomodim të kontaktojnë numrin e telefonit 070-270-370.

“Në mënyrë shtesë, të gjitha misionet diplomatike dhe konsullore janë në dispozicion për të ofruar mbështetjen e nevojshme logjistike në vendet ku po mjekohen pacientët. Lista e kontakteve me numrat e telefonit është publikuar në ueb faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, ndërsa në dispozicion janë edhe numrat e telefonit kujdestarë: 075/273-732 dhe 075/268-736”, thuhet në kumtesë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, përmes Shtabit operativ të krijuar për këtë qëllim, është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet kompetente, duke përfshirë edhe misionet diplomatike dhe konsullore të Maqedonisë së Veriut jashtë vendit.

“Solidariteti dhe përgjegjësia janë kyçe në momente të tilla, prandaj apelojmë deri tek qytetarët që të përmbahen nga shkëmbimi i informacioneve të paverifikuara, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të dezinformatave”, thuhet në kumtesë.

Exit mobile version