Telegrafi

MPJ reagon ndaj deklaratave të Daçiqit: Provokime të hapura ndaj stabilitetit në rajon

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës përmes një komunikate dënon ashpër deklaratat që ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka bërë në lidhje me “gjoja sulme të diasporës shqiptare në botë ndaj misioneve diplomatike të Serbisë”.

Lexo po ashtu Daçiq: Shqiptarët në diasporë planifikojnë sulm ndaj ambasadave serbe, për shkak të arrestimit të Haradinajt

Sipas komunikatës, Ministria e Punëve të Jashtme, i konsideron këto deklarata nxitëse, tendencioze dhe që kanë për qëllim ta mbajnë në tension rajonin.

MPJ vlerëson se kjo është gjuhë e viteve 90-a dhe e frikës kur Serbia i orekstronte vetë sulmet që ua atribuonte të tjerëve.

“Për Ministrinë e Jashtme të Kosovës deklaratat e Dacic janë të papranueshme dhe si të tilla të paqëndrueshme. Ato janë nxitëse dhe tendencioze, të cilat i kontribuojnë destabilizimit dhe prishjes së procesit të normalizimit të marrëdhënieve. Në këto rrethana, akte të tilla të dhunës mund të orkestrohen nga vetë shteti serb, në mënyrë që t’i atribuohen pastaj diasporës shqiptare”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës. /Telegrafi/