Dy bileta në vlerë mbi 3,300 euro ish rezervuan nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës për mysafirin nga Afrika, i cili nuk erdhi.
Ministria kërkoi rimbursimin e mjeteve, mirëpo arriti t’i kthejë vetëm 152 euro.
Këtë gjetje e vuri në pah auditimi i performancës së kontratave të centralizuara për vitet 2016-2019 për shërbimet e transportit ajror nga Auditori i Përgjithshëm.
Sipas raportit, MPJ-ja kishte kërkuar rimbursim por kishte arritur të rimbursojë vetëm 152 euro që nuk përbën as 5 për qind të vlerës blerëse të biletave.
Përmes letër-konfirmimit drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla –Schwarz, konfirmoi se e ka pranuar draft-raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit “Kontratat e centralizuara – Shërbimet e transportit ajror” .
Ministrja Gërvalla –Schwarz gjithashtu në këtë letër thotë se brenda 30 ditëve nga pranimi i raportit final do t’u dorëzojë një plan të veprimit për implementimin e rekomandimeve i cili do të përfshijë afatet kohore dhe stafin përgjegjës për implementimin e tyre.