Ministria e Punëve të Jashtme, ka bërë të ditur se deri më tash nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtarë në lidhje me raportimet se kinse Republika e Surinamit ka tërhequr njohjen ndaj Republikës së Kosovës.
“Në këto rrethana, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës i referohet vetëm frymës së mirë të marrëdhënieve miqësore në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Surinamit dhe Notës Verbale të njohjes zyrtare nga ky shtet, të datës 8 Korrik 2016, nëpërmjet së cilës Qeveria e Surinamit e kishte njohur Republikën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, thuhet në njoftimin për media të MPJ-së.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës tutje ka theksuar se është e vetëdijshme për interesimin e jashtëzakonshëm, përpjekjet e fuqishme dhe qëllimet malinje që ka shteti fqinj, Serbia përkitazi me minimin e legjitimitetit ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës.
“Megjithëkëtë, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës flet me gjuhën e fakteve dhe gjendjen e realitetit. Gjuha e fakteve dhe gjendja e realitetit është se Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, me legjitimitetin e vulosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ku ishte dërguar nga vet Serbia, është njohur nga 114 shtete nga çdo kontinent, ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 Organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 Misione Diplomatike dhe Poste Konsullore dhe ka të akredituar Ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete gjithandej nëpër botë”, thuhet më tej në njoftim.
Kosova tani është faktorizuar dhe ka forcuar legjitimitetin e saj ndërkombëtarë dhe kjo nuk duhet të shihet si pengesë as për Serbinë. Kosova, në ekzistencën e saj gati dhjetë vjeçare si shtet i pavarur dhe sovran ka dëshmuar, që i ka kontribuar paqes dhe sigurisë rajonale dhe ajo mbetet e përkushtuar për të punuar në këtë drejtim, duke ndërtuar marrëdhënie të mira me të gjitha fqinjët e saj, duke përfshirë edhe Serbinë. /Telegrafi/