Telegrafi

MPJ nuk është informuar se Beogradi ia ka ndaluar Pacollit vizitën në Novi Pazar

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk ka marrë asnjë njoftim nga Qeveria e Serbisë, se zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, i është ndaluar të  vizitojë gjatë kësaj fundjave Novi Pazarin.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, i ka thënë Telegrafit se nuk kanë asnjë konfirmim nga Beogradi lidhur vizitën e Pacollit në Novi Pazar.

“Nuk kemi asnjë konfirmim nga Beogradi”, ka thënë shkurt Zyberaj.

Ndryshe, mediat serbe sot raportojnë se Beogradi zyrtar ia ka refuzuar kërkesën, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet  Pacollit, që të shtunën dhe të dielën (21 dhe 22 korrik) të vizitojë Novi Pazarin, shkruan Telegrafi.

Siç raporton televizioni shtetëror serb, RTS, kërkesa e zv/kryeministrit Pacolli është refuzuar nga autoritetet serbe duke u thirrur në kornizën ligjore të UNMIK-ut.

Pacolli, në cilësinë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, është ftuar nga Këshilli Kombëtar i Boshnjakëve të vizitojë Novi Pazarin dhe Rashkën gjatë kësaj fundjave./Telegrafi/