Site icon Telegrafi

MPJ: Mos lejimi i hyrjes në Serbi të akademikut Islami veprim i ultë

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e vlerëson si të ulët, të papërgjegjshëm dhe të papranueshëm veprimin e autoriteteve serbe për moslejimin e ish-kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anëtarit të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve, Hivzi Islami, që të vizitojë familjarët e tij në Preshevë.

“Sjelljet e tilla të ndarjes nga pjesa tjetër e familjes e Akademikut Islamit thjeshtë ri-ngjallin kujtimet trishtuese nga e kaluara e errët historike e politikave të fqinjit tonë verior –Serbisë dhe forcojnë bindjen për mungesë të dukshme vullneti politik për zbatimin e Marrëveshjeve të arritura në mes dy shteteve në Bruksel dhe përkushtimit të shprehur institucional për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy vendeve tona.”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.

Ministria e Punëve të Jashtme konsideron se veprimi i sotshëm i Institucioneve të Serbisë është në kundërshtim me çdo vlerë njerëzore dhe shkelje e rëndë e lirisë së lëvizjes, si parim themelor evropian.

Ministria e Punëve të Jashtme do ta adresojë këtë çështje  nëpërmjet kanaleve diplomatike tek përfaqësuesit e BE-së dhe komuniteti i gjerë ndërkombëtar dhe do të kërkojnë me ngulm mos-përsëritjen e rasteve të tilla. /Telegrafi/

Exit mobile version