Telegrafi

MPJ Maqedoni për 100 mijë euro ka angazhuar PR agjenci për të promovuar kryesimin me OSBE-në

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) do të shpenzojë rreth 100,000 euro për aktivitete PR për kryesimin e Maqedonisë me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Më 1 janar, Maqedonia filloi presidencën e saj me OSBE-në, organizatën më të madhe rajonale të sigurisë në botë, e cila përfshin 57 vende pjesëmarrëse nga Evropa, Amerika e Veriut dhe Azia. Për këtë qëllim është lidhur marrëveshje me Kompaninë për aktivitete menaxhuese dhe këshilluese Agjencia “Rating SP-M” SH.PK për 6.100.000 denarë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Kjo nënkupton se Ministria e Punëve të Jashtme shpenzon paratë e njerëzve për agjenci PR, pavarësisht se ministria ka shërbimin e saj të marrëdhënieve me publikun, ndërsa qeveria punëson njerëz të PR, fotografë dhe videografë.

Sipas Sistemit Elektronik për Prokurim Publik, tenderi është shpallur më 29 shtator 2022, hapja publike e ofertave ka qenë më 1 nëntor dhe vendimi për fituesin e përzgjedhur të tenderit është marrë më 12 dhjetor.

Ministria e Punëve të Jashtme thotë se mbulimi i një numri të madh të çështjeve që kanë të bëjnë me kryesimin e OSBE-së nënkupton rritjen e ndjeshme të nevojave për komunikim dhe për këtë arsye përmes një procedure transparente tenderimi kanë angazhuar një operator të veçantë ekonomik.

“Përveç rolit politiko-ndërkombëtar, kryesimi me OSBE-në paraqet edhe një mundësi të veçantë për promovimin e përgjithshëm social, politik, kulturor dhe turistik të vendit. Prandaj, çdo vend kryesues deri më tani është përballur me sfidën e markimit të duhur të vetë Presidencës, me qëllim të promovimit të vendit dhe veçorive të tij në skenën politike ndërkombëtare dhe publikun e përgjithshëm ndërkombëtar. Sipas agjendës së vetë Presidencës, shumica e aktiviteteve do të drejtohen jashtë, me fokus të veçantë në vendet e rajonit të OSBE-së. Nën sloganin “Është për popullin”, qëllimi i aktiviteteve do të jetë të evidentohet roli i vendit në promovimin e politikës së dialogut; krijimin dhe sigurimin e mbështetjes për narrativë politike rreth rolit të OSBE-së në zgjidhjen e konflikteve dhe sigurimin e stabilitetit afatgjatë; mbështetje për zgjerimin e numrit, por edhe thellimin e rolit të misioneve në terren në krijimin e stabilitetit të përgjithshëm; rëndësinë e aktiviteteve politiko-diplomatike nga këndvështrimi i gjendjes së popullit”, thanë nga MPJ.

Prej atje gjithashtu shtojnë se “sfidë e veçantë e komunikimit është organizimi i ngjarjes më të madhe politike ndërkombëtare që do të mbahet këtë vit në Shkup, e që është Këshilli Ministror i OSBE-së, ku do të jenë 57 ministra të punëve të jashtme të vendeve anëtare”.

Kryesimi i Maqedonisë me OSBE-në do të zgjasë gjatë gjithë vitit 2023. Ministri Bujar Osmani do ta prezantojë programin e Presidencës së Maqedonisë para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë më 12 janar./Telegrafi/