Sot në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës, hyjnë në fuqi tri marrëveshjet e nënshkruara më 3 nëntor të vitit 2022, në kuadër të Procesit të Berlinit – Marrëveshja për Lëvizjen e Lirë në Ballkanin Perëndimor me Letërnjoftime, Marrëveshja për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë dhe Marrëveshja për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve.
Nga MPJ Maqedoni njoftojnë se marrëveshjet pritet të hyjnë në fuqi në tre vendet e tjera nënshkruese, në pajtim me procedurat e përfunduara ligjore në to – Republikën e Serbisë, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën.
Me to mundësohet lëvizja e lirë e njerëzve vetëm me letërnjoftime brenda Ballkanit Perëndimor; mundësohet lëvizshmëria e studentëve, profesorëve dhe punonjësve akademikë, ndërsa procedurat e njohjes shkurtohen nga disa muaj në dy javë dhe pa shpenzime; mjekët, dentistët dhe arkitektët do të mund të ofrojnë shërbimet e tyre lirisht në të gjithë rajonin.
“Secila prej këtyre marrëveshjeve ofron mundësi specifike për t’i ndihmuar qytetarët tanë ta përdorin potencialin e tyre, t’i zgjerojnë përvojat e tyre dhe të kontribuojnë në të mirën e rajonit tonë. Marrëveshjet paraqesin hap të rëndësishëm përpara në përpjekjet tona për t’u ofruar qytetarëve lirinë e lëvizjes dhe integrimit, si kusht për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, i cili do të paraqet rrugën më të sigurt dhe më të shpejtë për të arritur qëllimin tonë të përbashkët – anëtarësimin në Bashkimin Europian”, theksoi sot ministri Bujar Osmani.
Nga MPJ kujtojnë se si depozitues i këtyre marrëveshjeve të rëndësishme është zgjedhur Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut.