Autoritetet e Maqedonisë së Veriut janë në kontakt me qytetarët tanë jashtë vendit, dhe për shkak të mbylljes së kufijve dhe anulimin e fluturimeve ata normalisht nuk mund të kthehen në shtëpi.
Ministria e Punëve të Jashtme përmes Trupit Koordinues për ndihmë dhe mbështetje të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila për shkak të situatës së re me coronavirusin (COVID-19), gjendet në vendkalimet kufitare të vendeve të tjera dhe aeroportet, ka bërë shumë kontakte dhe biseda me palët në fjalë, qytetarët tanë, por edhe me institucione të ndryshme brenda dhe jashtë vendit për të gjetur zgjidhje dhe për të ofruar informacion dhe këshilla të përshtatshme.
“Pas komunikimit dhe koordinimit intensiv me qytetarët tanë që kthehen në vend, siç janë ata nga Malta, Spanja, ose transit përmes Republikës së Serbisë dhe Republikës së Shqipërisë, janë marrë zgjidhjet më të përshtatshme të mundshme, në një situatë të ndryshimit të rrethanave çdo ditë. Në Maltë qytetarët tanë po kthehen në vend përmes aeroportit të Stambollit; në Spanjë, si një vend me rrezikshmëri të lartë, po gjejnë destinacione alternative dhe mënyra tranzitore se si qytetarët të kthehen në Shkup, gjë që ndodh edhe në aeroportin e Beogradit, ndërsa po punohet edhe në koordinim me Shqipërinë fqinje”, thonë nga MPJ.
Ministria e Punëve të Jashtme po bën përpjekje për të kapërcyer këtë situatë dhe është në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë palët e interesuara, në përputhje me masat dhe rekomandimet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe me masat e vendeve të tjera në të cilat qytetarët tanë banojnë ose kalojnë./Telegrafi/