Telegrafi

MPJ-ja zhbllokon dekretimin e ambasadorëve

Procesi i emërimit të ambasadorëve të rinj po shkon drejt zhbllokimit, pasi Ministria e Jashtme ka hequr dorë nga disa prej propozimeve politike, të cilat i kishte bërë presidenti i ri, Hashim Thaçi.

Ish-shefi i diplomacisë në Qeveri tani po bën përpjekje që kur ta marrë detyrën në zyrën e shefit të shtetit t’i gjejë të dekretuar disa prej ambasadorëve të propozuar nga vetë ai, shkruan sot Koha Ditore.

Gjithsej janë shtatë propozime, që presidentja Atifete Jahjaga deri tani ka refuzuar t’i dekretojë. Të propozuarit kanë qenë në kundërshtim me Ligjin për shërbimin e jashtëm, i cili kërkon baraspeshë ndërmjet të emëruarve politikë dhe diplomatëve të karrierës.

Nga burime të afërta me këtë proces gazeta merr vesh se disa prej të propozuarve më herët nuk do të dekretohen, për t’iu lënë vend diplomatëve të karrierës.