Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka reaguar për ngjarjet e fundit në Afganistan.
Nga MPJ kërkojnë që shtetasve të huaj në Afganistan, t’u mundësohet largim i sigurt nga vendi, si dhe përgjegjësit e pushtetit të vendosin stabilitet dhe siguri.
“Duke e pasur parasysh seriozitetin e gjendjes së përkeqësuar në Republikën Islamike të Afganistanit, Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me partnerin strategjik, SHBA-në, si dhe aleatët e tjerë të NATO-s: u bën thirrje të gjitha palëve në Afganistan ta respektojnë dhe ta mundësojnë largimin e sigurt nga vendi për shtetasit e huaj, të cilët për momentin ndodhen atje, si dhe për banorët e Afganistanit të cilët dëshirojnë të largohen nga vendi”.
“Ato subjekte dhe organizata të cilat janë në pushtet duhet ta mbajnë përgjegjësinë për mbrojtjen e jetës së njerëzve, si dhe për rivendosjen e menjëhershme të sigurisë dhe stabilitetit në vend. Ministria e Punëve të Jashtme vazhdon me kujdes ta ndjekë situatën në Afganistan dhe të ndërmerr hapa drejt mbrojtjes së shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët gjenden në territorin e vendit”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.