Site icon Telegrafi

MPJ e Kosovës: Beogradi po dëshmon frymën anti-evropiane ndaj Kosovës e Evropës

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka reaguar ndaj ndalesës që Serbia ia ka vënë tre deputetëve kosovar, Ilir Deda, Vjosa Osmani Sadriu dhe Blerta Deliu Kodra për të marrë pjesë në konferencën për paqe në Beograd.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e thellë dhe e konsideron të papranueshme anulimin e pjesëmarrjes së Kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, znj Vjosa Osmani-Sadriu, dhe deputetit, Ilir Deda, në konferencën e titulluar ‘Përmes idesë së BE-së drejt paqes dhe zhvillimit’, e cila ishte paraparë të mbahet me 11 dhe 2 maj, 2018 në Beograd nga ana e Parlamentit të Serbisë”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

“Ky akt i Parlamentit serb nën presionin e ultra-nacionalistit, Vojisllav Sheshel, i cili është dënuar për krime lufte tregon edhe njëherë mungesën e vullnetit në Beograd për promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe zhvillimin e bashkëpunim rajonal. Është për keqardhje që pikërisht në Ditën e Evropës, autoritetet në Beograd kanë treguar sjelljen e tyre anti-evropiane ndaj Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar”, thuhet më tej në komunikatë.

Ministria e Punëve të Jashtme ka paparalajmëruar se do ta shtrojë këtë çështje para përfaqësuesve të Bashkimit Evropian si lehtësues të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /Telegrafi/

Exit mobile version