Telegrafi

MPJ bullgare dënoi përdorimin e gjuhës së urrejtjes mbrëmë në arenën “Todor Proeski”.

Ministria e Punëve të Jashtme bullgare dënoi fishkëllimat e bëra gjatë këndimit të himnit kombëtar bullgar në ndeshjen e futbollit mes kombëtareve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në Shkup, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në deklaratën e zëdhënësit të MPJ-së bullgare dhe zv. ministrit të Punëve të Jashtme, Kostadin Koxhabashev, thuhet se “fjala e urrejtjes ndaj Bullgarisë dhe bullgarëve nga tribunat e stadiumit kombëtar në Shkup është një mohim i qartë i vlerave themelore të shoqërive moderne demokratike dhe është në kontrast me parimet dhe normat evropiane të sjelljes”.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se MPJ bullgare po e merr parasysh reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila dënon gjuhën e urrejtjes gjatë ndeshjes së futbollit dhe në të njëjtën kohë u bën thirrje autoriteteve zyrtare në Shkup të bëjnë çfarë është e nevojshme për ta zhdukur “agresionin antibullgar në hapësirën publike të vendit”.

MPJ bullgare rikujton gjithashtu se me Marrëveshjen e vitit 2017 dhe me protokollet dypalëshe të nënshkruara në vitin 2019 dhe 2022, të dyja vendet janë të përkushtuara kategorikisht për marrjen e masave efektive kundër gjuhës së urrejtjes. Gjithashtu theksohet se ruajtja e progresit të arritur në muajt e fundit në dialogun politik kërkon që ngjarje të tilla të bëhen pjesë e së shkuarës përgjithmonë, që të dy vendet të hapin një faqe të re në marrëdhënie, bazuar në respektin reciprok dhe fqinjësia e mirë./Telegrafi/