Site icon Telegrafi

MPJ: Anulimi i njohjes nga Grenada gënjeshtër e radhës e Serbisë

Deklaratat e zyrtarëve serb se Grenada e ka tërhequr njohjen për pavarësinë e Kosovës, diplomatët kosovarë po i quajnë gënjeshtra.

Këshilltari politik i Behgjet Pacollit, Fatmir Haxholli ka deklaruar se kjo është vetëm një gënjeshtër e radhës dhe se sipas MPJ’së, autoritetet nga Grenada asnjëherë nuk kanë deklaruar se do ta tërheqin njohjen ndaj Kosovës.

Haxholli ka thënë se këtë punë, zyrtarët serb po e bëjnë si pasojë e krizës së politikanëve serb.

“Është vetëm gënjeshtra e radhës si rezultat i krizës së politikaneve serb. Me Granaden kemi marrëdhënie diplomatike dhe relacione të mira ndërshtetërore”, ka deklaruar Haxholli për express.

Ndërkohë, diplomatët serb sot kanë deklaruar se edhe një shtet e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sipas Ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, bëhet fjalë për Grenadën. Vend ky i cili sipas Daçiqit është i nënti që ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Lexo po ashtu Vazhdon propaganda serbe ndaj Kosovës, Daçiq thotë se Grenada e ka tërhequr njohjen

Grenada ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2013, për një ditë me Libinë. Lajmin e kishte bërë të ditur nga Nju Jorku, Hashim Thaçi, atë kohë Kryeministër i Kosovës.

Serbia prej kohës kur Kosova ka shpallur pavarësinë ka nisur një fushatë propaganduese për të treguar se shtete të ndryshme po tërheqin njohjet. Mirëpo, në të Drejtën Ndërkombëtare s’ekziston praktika e tërheqjes së njohjeve përveç nëse i ngrijnë raportet diplomatike.

Prej kohës kur ka nisur diskutimi për ndryshim e korrigjim kufijsh, Serbia ka intensifikuar këtë fushatë duke dhënë lajme se disa shtete kanë tërhequr njohjen, derisa pas një kohe këto informata i kanë demantuar shtetet përkatëse.

Exit mobile version