Ditë më parë Policia e Kosovës u deklarua se mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL ka ndikuar që vendi ynë të jetë vend transit i armëve.
E, kjo sfidë do ta përcjellë Kosovën në luftimin e trafikimit me armë derisa Policia e Kosovës do të bëhet anëtare e INTERPOL-it.
Por, për zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Çerkin Dukolli, Kosova qëndron mirë sa i përket sigurisë së përgjithshme dhe nuk ka indikacione që paraqesin rrezik.
Ai thotë se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL e ndihmon shumë sigurinë e përgjithshme duke përmendur terrorizmin dhe trafikimin, por sipas tij ky anëtarësim e ndihmon shumë vet INTERPOL-in.
“Janë duke u bërë koordinimet e duhura dhe në momentin e duhur do ta kemi rezultatin për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Momentumet e favorshme kërkohen në koordinim me vendet mike që kërkohen pavarësisht datës, ne presim momentum më të favorshëm. Unë mendoj që anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL më së shumti i shërben vet sigurisë së përgjithshme dh.m.th. anëtarësimi e ndihmon shumë organizatën e INTERPOL-it dhe ndikon shumë në siguri, sa i përket terrorizimit dhe trafikimeve. Vendi është mirë sa i përket sigurisë dhe nuk ka indikacione që paraqesin rrezik”, ka thënë Dukolli.
Ai ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata të tjera ndërkombëtare derisa ka treguar se deri më tani vendi ynë është anëtare në mbi 80 organizata ndërkombëtare.