Ministria e Punëve të Brendshme njofton se 36-vjeçari banor i fshatit Germija në Manastir, ka pranuar se është përgjegjës për zhvendosjen dhe shkatërrimin e gurëve në kufirin mes Maqedonisë dhe Greqisë.
Nga MPB thonë se pas masave të ndërmarra është konstatuar se personi që ka kryer veprën penale “dëmtim të mjeteve të huaja” është B.M (36) nga fshati Germija i Manastirit, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Në stacionin policor është kryer bisedë me B.M dhe ai e ka pranuar veprën penale. Në koordinim me Prokurorinë Themelore të Manastirit dhe pas dokumentimit të plotë të rastit kundër personit do të ngritet padi adekuate”, thonë nga MPB.
Ndryshe, më herët Policia e Greqisë njoftoi se persona të panjohur kanë shkatërruar 105 gurë kufitar, që përcaktojnë kufirin mes Maqedonisë dhe Greqisë nga ana greke në Komunën Lerin./Telegrafi/