Viti që lamë pas përveç ngjarjeve tjera, do të mbahet mend edhe për kërcënimet për bomba që muajin e fundit u bënë thuajse të përditshme. Ministri për Punë të Brendshme Oliver Spasovski sot deklaroi se ky dikaster ka zbuluar disa prej autorëve dhe janë në rrugë të mirë drejt zbulimit të personave tjerë që kanë kërcënuar institucionet publike dhe private me bomba.
“Për disa prej rasteve janë siguruar dëshmi dhe janë realizuar, edhe atë në Shkup, kemi për denoncimet në Kavadar, për denoncimet në Dellçevë. Po punojmë dhe jemi në rrugë të mirë për të zbuluar edhe një rast në Shkup, andaj të gjitha shërbimet të luftës kundër terrorizmit, krimit kompjuterik së bashku me shërbimet e sigurisë partnere po punojnë. Kështu që plotësisht jemi në funksion të zbulimit të autorëve si dhe edhe po punojmë edhe në parandalim, që të jenë të mbrojtur qytetarët”, u shpreh Oliver Spasovski./Alsat.mk