Site icon Telegrafi

MPB ngrit shqetësimin për sigurinë e dokumenteve në kabinetin e Sveçlës, kërkon inspektim nga AKI-ja

Ministria e Punëve të Brendshme, pas shqetësimeve të ngritura rreth sigurisë fizike të dokumenteve të klasifikuara në kabinetin e ministrit, njofton se për këtë rast do të ndërmerren të gjitha masat e parapara me Ligjin për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, si dhe Rregulloren për Sigurimin Fizik të Informacionit të Klasifikuar.

MPB-ja përmes një komunikate thotë se pas pranimit të detyrës së ministrit Agim Veliu, në kabinetin e këtij të fundit është gjetur një gjendje e pa rregullt e disa nga dokumentet e klasifikuara me nivelin përkatës të klasifikimit.

“Pas shqetësimeve që janë ngritur rreth sigurisë fizike të dokumenteve të klasifikuara në Kabinetin e Ministrit të Punëve të Brendshme, me rastin e pranimit të detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, njoftojmë se për këtë rast do të ndërmerren të gjitha masat e parapara me Ligjin për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, si dhe me Rregulloren Nr. 14/2011 për Sigurimin Fizik të Informacionit të Klasifikuar. Pas pranimit të detyrës së ministrit Veliu, në Kabinetin e Ministrit është gjetur një gjendje e pa rregullt e disa nga dokumentet e klasifikuara me nivelin përkatës të klasifikimit. Për këtë arsye Ministria e Punëve të Brendshme ka themeluar fillimisht një Komision, i cili ka evidentuar gjendjen e dokumenteve të ndodhura në njërën nga kasafortat e Kabinetit”, thuhet në njoftim.

“Ky Komision përmes raportit të datës 8 qershor 2020, ka konstatuar se disa nga këto dokumentet nuk janë gjetur në gjendje të sigurisë fizike, sipas standardeve siç përcaktohet me ligj dhe me Rregulloren nr. 14/2011 për Sigurimin Fizik të Informacionit të Klasifikuar”.

Sipas MPB-së, pas raportit të komisionit, i cili ka ngritur shqetësim, MPB si institucion i ruajtjes së këtyre dokumenteve, do të veprojë në përputhje me Ligjin për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë.

“Po ashtu do të ftojmë autoritetin kompetent, pra Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, që përmes inspektimit të vërtetojë nëse këto shqetësime janë të arsyeshme apo jo, pra të vërtetojë se Kabineti i ish Ministrit Sveçla i ka ruajtur këto dokumente në kushte dhe standarde siç i përcakton Rregullorja nr. 14/2011 për Sigurimin Fizik të Informacionit të Klasifikuar. Pra, ne si MPB, duke u bazuar në nenin 49 të këtij ligji i cili përcakton se AKI: “monitoron dhe koordinon zhvillimet në fushën e ruajtjes së informacioneve të klasifikuar, si dhe siguron zhvillimin dhe zbatimin e standardeve fizike, organizative dhe teknike për mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara”, do të ftojmë këtë institucion, të zhvillojë procedurën përkatëse”, thuhet më tej.

MPB  shton se së bashku me AKI do të ndërmarrin hapat e mëtejshëm me qëllim që kjo çështje të sqarohet siç e parasheh Ligji për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, i cili në nenin 50 përcakton se: “cilido bartës i autorizuar i informacionit të tillë të klasifikuar i cili nuk e mbron informacionin e klasifikuar siç kërkohet me këtë ligj, kryen vepër penale dhe dënohet me burgim.

“Bazuar në aktet normative të lartpërmendura të gjitha institucionet publike garantojnë sigurinë fizike dhe sigurinë e informacioneve lidhur me informacionet e klasifikuara në pajtim me standardet dhe procedurat e përcaktuara përmes këtyre akteve nënligjore”, thuhet në fund. /Telegrafi/

Exit mobile version