Telegrafi

MPB ngrit gatishmërinë shtetërore pas përmbytjeve: Aktivizohen qendrat operative në të gjitha komunat e vendit

Që nga orët e para të ditës së enjte kanë filluar reshjet atmosferike të shiut, me ç’rast në  Rajonin e Mitrovicës dhe Pejës ka pasur ngritje të nivelit të ujit në lumenj dhe ka pasur vërshime të shpejta.

Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur gatishmërinë shtetërore.

Siç njoftohet, Agjencioni i Menaxhimit Emergjent në kuadër të MPB-së në koordinim me IHMK-në ka marrë të gjitha masat e nevojshme duke ngritur nivelin e gatishmërisë në të gjitha komunat.

“Aktualisht, MPB është mobilizuar me të gjitha kapacitetet e saj, përfshirë AME-në me të gjitha Njësitë e zjarrfikësve dhe Policinë e Kosovës, të cilët do të jenë në shërbim të qytetarëve 24 orë”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se Ministria e Punëve të Brendshme është në komunikim dhe koordinim me të gjitha ministritë tjera, për marrjen e të gjitha masave për përballimin sa më të lehtë të situatës.

MPB ka apeluar tek qytetarët që jetojnë në zona ku ka përmbytje që të kenë kujdes të shtuar dhe të komunikojnë me autoritetet shtetërore që t’iu vijnë në ndihmë.

Qendrat Operative Emergjente janë aktivizuar në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe për çdo urgjencë duhet të kontaktojnë në numrin emergjent 112.

“Ndërsa një raport i detajuar për situatën e krijuar nga vërshimet në vend do të publikohet ndërkohë”, thuhet në fund të njoftimit./Telegrafi/