Site icon Telegrafi

MPB-ja e Serbisë: Nën petkun e artit, shqiptarët deshën ta promovojnë UÇK-në në Beograd

Vendimin që të ndalen artistët shqiptarë nga Kosova dhe të mos kalojnë vijën kufitare me Serbinë, me mbishkrime dhe logo të UÇK-së, e ka marrë Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga kjo ministri.

Aty ndër tjera thuhet se, “ministri nuk ka lejuar që në Beograd kinse nën petkun e artit të promovohet UÇK-ja”, transmeton Telegrafi.

“Vendimin e ka marrë ministri Stefanoviq, dhe fjala është për fotografinë me logo të UÇK-së”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.

Në njoftim nuk jepen arsyetime pse janë ndaluar dy fotografitë tjera të artistes kosovare Eliza Hoxha – njëra me transparent me vargun e poezisë së Ali Podrimës “Kosova është gjaku im që nuk falet” dhe tjetra me flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë – si dhe të gjithë katalogët e Hoxhës, dedikuar ekspozitës në kuadër të manifestimit kulturor “Mirdita, Dobar dan”, që prej sot deri më 2 qershor mbahet në Beograd.

Fotografia është dashur të ekspozohet në kuadër të festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”, që fillon sonte në Beograd, por që e cila ka shkaktuar reagime të shumta tek institucionet e Serbisë. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version