Site icon Telegrafi

MPB parashtron kallëzim penal ndaj ish-drejtoreshës së Klinikës për Dermatologji

Ministria e Punëve të Brendshme ka dorëzuar kallëzim penal kundër ish-drejtoreshës së Klinikës për Dermatologji, Nina Caca Biljanovska, e cila në kundërshtim me rekomandimet e Qeverisë, pas kthimit nga Italia nuk është vetë-izoluar.

Ministri teknik i MPB-së Naqe Çulev, sot informoi se drejtoresha nga Italia është kthyer më 29 shkurt, ndërsa infektimi me coronavirus i është konfirmuar më 8 mars. Në ndërkohë ajo ka shkuar në punë dhe ka marrë pjesë në një simpozium, në të cilin ka pasur mbi 100 punëtorë shëndetësor.

Për shkak të kontaktit me drejtoreshën, në izolim janë vendosur rreth 200 persona, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Ish-drejtoresha ka hyrë në shtet më 29 shkurt. Kundër saj dhe të gjithë atyre që nuk i respektojnë rekomandimet, është dorëzuar kallëzim penal në Prokurori”, tha Naqe Çulev.

Ndryshe, pasi drejtoresha doli pozitiv me coronavirus, u mbyll gjithë departamenti për dermatologji. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, thotë se tek asnjëri person që ka pasur kontakt me ish-drejtoreshën nuk janë paraqitur simptome të sëmundjes së coronavirusit./Telegrafi/

Exit mobile version