Ministria e punëve të brendshme e ka zbuluar identitetin e personave të përfshirë në incidentin e armatosur i cili ndodhi dje në Saraj të Shkupit, transmeton Telegrafi Maqedoni.
“Më 22.06.2016, rreth orës 19 Q.L (25) nga fshati Gërçec i Shkupit, ka paraqitur se në fshatin Saraj është sulmuar me armë zjarri. Rasti ka ndodhur te pika e karburanteve në Saraj, kur personi me iniciale А. Н., dy herë ka shtënë me armë zjarri në drejtim të personit Q.L. por nuk e ka qëlluar. Më pas, S.N. me kushëririn e tij A.N me veturë “Wolksvagen Golf” e ka ndjekur Q.L., me ç’rast janë shkrepur edhe tre plumba. Edhe pas këtyre të shtënave Q.L nuk është ndalur, ka vazhduar të lëvizë dhe ka shkuar në shtëpi. Hetime në vendin e ngjarjes ka kryer ekipi hetimor i SPB-së në Shkup. Po merren masa për ndriçimin e rastit”, njoftojnë nga MPB.
Sipas njoftime jozyrtare kuptohet se të shtënat kanë qenë tentim për hakmarrje familjare për një rast të vrasjes që ka ndodhur në fund të vitit të kaluar./Telegrafi/