Reperi i njohur shqiptar Mozzik, edhe në vazhdimësi po promovon albumin e tij më të ri “Mozzart”, i cili ka dalë në shitje këtë vit.
Ai ka menduar që të mërkurën e datës 26 gusht, t’ua sigurojë nga një album atyre që mbase muzikën prej vitesh nuk kanë mundësi ta dëgjojnë ‘live’.
Reperi nga Ferizaj ka vizituar Qendrën Korrektuese në Smrekonicë dhe të miturit e Qendrave Edukativo-Korrektuese në Lipjan.
Përveçse është përshëndetur dhe ka biseduar me ta, Mozzik u ka dhuruar atyre edhe nga një CD të albumit “Mozzart” si dhuratë.
Lajmi është bërë i ditur edhe nga faqja zyrtare e Shërbimit Korrektues në rrjetet sociale, të cilët kanë alënderuar reperin 24-vjeçar për vizitën.
Ky është postimi i tyre i plotë:
“Mozzik viziton Qendrën Korrektuese në Smrekonicë dhe të miturit e Qendrave Edukativo-Korrektuese në Lipjan.
Në vazhdën e aktiviteteve kulturore artistike të SHKK-së, sot Rep këngëtari, Gramoz Aliu, i njohur me emrin artistik “Mozzik”, vizitoi Qendrën Edukuese Korrektuese për të Mitur, Qendrën Korrektuese për të Mitur dhe Qendrën Korrektuese Smrekonicë.
Vizita u realizua në ambientet e hapura të institucioneve korrektuese dhe në harmoni të plotë me masat mbrojtëse ndaj pandemisë “Covid 19”.
Në fund të vizitës, të miturve dhe të dënuarve u shpërndau nga një CD dhuratë nga Albumi i tij i fundit. Vizita e Mozzik është mirëpritur nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, e në veçanti nga të miturit e qendrave korrektivo edukuese dhe të dënuarit e Qendrës Korrektuese Smrekonicë”, shkruan Qendra e Shërbimit Korrektues.
Ndërkohë edhe vet Mozzik ka ndarë me ndjekësit e tyre në rrjetet sociale imazhe të ndryshme, nga momenti kur është takuar dhe u ka bërë dhuratë albumin atyre që vuajnë dënimin me mbyllje. /Telegrafi/