Afati kalimtar veror për transferimet e futbollistëve është mbyllur me 1 shtator, por Jose Mourinho vazhdon të kërkojë një mbrojtës.
Trajneri i Romës këmbëngul për tu përforcuar në repartin e mbrojtjes pasi aktualisht te Roma janë vetëm katër qendërmbrojtës, Chris Smalling, Gianluca Mancini, Roger Ibanez dhe Marash Kumbulla.
Lëndimi i Marash Kumbullës ka komplikuar edhe më shumë planet e Jose Mourinhos i cili ka thënë se pret ardhjen e një mbrojtësi.
“E dëgjova deklaratën e Pintos kur tha se Cristante mund të luaj në qendër të mbrojtjës, por kush do të luante pastaj në mesfushë. Unë vazhdoj të besoj se do të vijë edhe një mbrojtës pasi kemi nevojë”, u shpreh Mourinho.
Roma mund të nënshkruajë me një mbrojtës që është i lirë dhe pa kontratë.
Tre është numri i lojtarëve që janë në listën e Romës, me belgun Jason Denayer që i prinë listës.
Ndërkohë aty ndodhet edhe ish-anëtari i Borussia Dortmund, francezi Dan-Axel Zagadou që mbetet i lirë pas largimit nga verdhezinjtë.
Ndërsa një tjetër opsion është edhe Maksimovic që e njeh kampionatin italian pasi më parë është aktivizuar me Genoa dhe Napolin.
Pritet që në ditët e ardhshme një prej tre emrave të sipërpërmendur të veshë fanellën verdhekuqe. /Telegrafi/