Trajneri i Tottenham Hotspur, Jose Mourinho, ka thënë se Arsenali ia vështirësoi punët skuadrës së tij në derbin e Londrës veriore, ndërsa pas takimit e ka uruar homologun e tij, Mikel Arteta.
Spursat kaluan në epërsi me një gol të bukur të Son Heung-min, ndërsa Harry Kane e dyfishoi rezultatin në fund të pjesës së parë.
Pas kësaj fitoreje, Tottenhami u kthye në krye të tabelës (me pikë të barabarta me Liverpoolin), ndërsa Mourinho deklaroi se nuk ishte e lehtë për skuadrën e tij.
“Ishte një ndeshje e madhe në të gjitha aspektet, jo vetëm pse ishte Tottenham-Arsenal. Dua ta uroj Mikel Artetan, sepse na dhuroi një ndeshje të vështirë”.
“Taktikisht, ata ishin shumë të mirë, shumë të organizuar. Na shkaktuan probleme, probleme të cilat ia dolëm t’i zgjidhnim. Ata kanë një kurajë të mirë taktike dhe motiv të madh. Është një skuadër e mirë dhe ai është një trajner i mirë”, ka deklaruar Mourinho për Sky Sports. /Telegrafi/