Trajneri i Romës, Jose Mourinho, ka treguar për këshillën që ia dha Nicolo Zaniolos pas mospërfshirjes në ekipin e Italisë për Ligën e Kombeve.
Giallorossët u kthyen te fitorja ndaj Empolit, pas humbjes në Derby della Capitale nga Lazio, ndërsa në intervistën për DAZN, portugezi pos që ka folur për lojën e ka komentuar edhe situatën e lojtarit të tij.
Zaniolo dukej i irrituar në momentin e zëvendësimit dhe në reagimin e tij ka mundur të ndikojë lënia jashtë ekipit të Azzurrëve për ndeshjet e Ligës së Kombeve.
“I thashë, kështu duhet të reagosh në një moment pikëllimi. Ai ka pritur të ishte në ekipin e Italisë, e respektoj vendimin e Roberto Mancinit dhe Nico e ka respektuar po ashtu”.
“Ai ka luajtur mirë dhe nëse vazhdon të luajë kështu, do të marrë ftesë. Është në formë të mirë, po ashtu përpiqet në mbrojtje, edhe atëherë kur është i lodhur. Vërtet më kanë pëlqyer paraqitjet e tij”, ka theksuar Mourinho. /Telegrafi/