Telegrafi

Mourinho tregon autoritetin e tij – e bën horë Sanchesin, e fut në lojë në pjesën e dytë dhe e zëvendëson pas 18 minutave

Jose Mourinho duket se e çoi një mesazh të madh në drejtim të Renato Sanchesit, teksa e futi mesfushorin në lojë ndaj Bolognas në pjesën e dytë dhe e largoi nga fusha pas vetëm 18 minutave.

Reprezentuesi portugez ka vuajtur gjatë tërë sezonit për të qëndruar i shëndetshëm, pasi është ballafaquar me lëndime të ndryshme.

Në këtë sfidë, ai e nisi nga banka rezervë dhe u inkuadrua me të filluar pjesa e dytë, duke zënë vendin e Leonardo Spinazzolas.

Lexo po ashtu Bologna ka treguar forcën edhe ndaj Romës, vazhdon të rivalizojë të mëdhat për kreun e renditjes

Sidoqoftë, Sanches nuk arriti që të ketë impakt në fushë, gjë që siç duket e irritoi Mourinhon i cili vendosi ta largojë atë nga fusha pas vetëm 18 minutave.

Sanches u largua nga fusha në minutën e 63-të të takimit dhe në vend të tij u fut Eduardo Bove. Ky vendim i Mourinhos padyshim që surprizoi jo vetëm lojtarin, por të gjithë ata që ishin duke e përcjellur këtë sfidë.

 

Me të parë se ai është lojtari që do të dalë nga fusha, Sanches u hutua duke menduar se ka ndodhur ndonjë gabim teknik.

Kartoni i 26-vjeçarit është në pronësi të Paris-Saint-Germain dhe po luan vetëm si huazim tek “Giallorossët”.

Teksa Sanches u afrua tek banka rezervë, ai nuk mori asnjë përshëndetje as nga Mourinho e as nga stafi i tij teknik, të cilët duket se ishin mjaft të dëshpëruar me paraqitjen e tij.

Me që ra fjala, Roma nuk arriti të fitojë tri pikët në këtë takim dhe u mposht me rezultat të pastër 2-0./Telegrafi/