Jose Mourinho beson se ardhja e Cristiano Ronaldos në Juventus është fantastike për futbollin italian dhe mendon se mund të motivojë rivalët e Zonjës së Vjetër.
Sulmuesi portugez nënshkroi një kontratë katërvjeçare me kampionët e Serie A, duke u bashkuar nga Real Madrid në një marrëveshje prej 112milionë eurosh.
Transferimi i Ronaldos te Zonja e Vjetër ka bërë bujë të madhe dhe i fundit që ka folur për të është Mourinho.
Ish-trajneri i Interit shpjegoi se edhe pse Juve mund të vazhdojë të dominojë futbollin italian, ekipet tjera tani kanë shtuar nxitjen për t’i mposhtur ata.
“Ronaldo në Juventus është fantastike për futbollin italian”, ka thënë fillimisht Mourinho për bashkatdhetarin e tij.
“Bianconerët kanë dominuar prej vitesh dhe tani do të jetë edhe më e lehtë me një lojtar të kualiteteve të tij”.
“Por, unë mendoj se kjo mund të jetë gjithashtu një motiv shtesë për rivalët e tyre”.
“Ndoshta superioriteti i Juventusit mund të japë një shtytje për ekipet si Milan, Roma, Inter dhe Napoli”, përfundoi trajneri portugez. /Telegrafi/