Telegrafi

Mourinho shkurton flokët, bën ritualin që nënkupton “luftë” dhe që kishte sukses në të kaluarën

Jose Mourinho (Foto: Getty Images/Guliver/Intstagram)

Jose Mourinho ka vendosur ta rruajë kokën sërish, ndërsa tifozët e Tottenham Hotspur duhet të entuziazmohen me këtë veprim. Një fotografi e shpërndarë në rrjetet sociale, e ka shfaqur strategun portugez me modelin e ri të flokëve.

Spursat kanë kohë deri në ndeshjen e radhës (ndaj Aston Villas, më 16 shkurt), mirëpo dukja e re është një lajm i mirë për londinezët.

Për herë të parë, Mourinho i shkurtoi flokët në fillim të sezonit 2006/2007 duke thënë se simbolizonte se skuadra e tij e atëhershme, Chelsea, ishte e gatshme për luftë. Rituali rezultoi i suksesshëm dhe Blutë i fituan nëntë nga 11 ndeshjet e para sezonale.

(Foto: Instagram)

Gjatë sezonit 2012/2013, trajneri i atëhershëm i Chelseat kishte pranuar se e kishte përdorur makinën e flokëve të Fernando Torresit për t’i shkurtuar vet flokët para pasqyrës. Dhe nga ai moment, Blutë i fituan tetë nga dhjetë ndeshjet e radhës në Ligën Premier.

Ndërsa tani, tifozët e Tottenhamit do të shpresojnë që rituali të jetë sërish i suksesshëm në rrugëtimin e tyre për top-katërshe. /Telegrafi/