Telegrafi

Mourinho: Ranieri ka harruar se ka profesionistë, e jo fëmijë

“Roma është dashur ta përfundojë ndeshjen e të mërkurës me gjashtë lojtarë, duke parë faktin se Mexes, Totti, Perrota, Taddei dhe Burdisso, merituan të përjashtoheshin, kurse ata më flasin për motivim të lojtarëve. Kjo bëhet kur stërvitesh ditë për ditë seancë pas seance. Kjo nuk arrihet nëse u jep futbollistëve të shikojnë një film horror para finales së Coppa Italia. Lojtarët janë profesionistë seriozë dhe jo fëmijë”, tha Mourinho për faqen zyrtare të Interit.

“Ne preferuam të punojmë në fushë dhe t’i studiojmë dobësitë e Romës në thellësi. Nëse do t’i detyroja lojtarët ta shikojnë “Gladiatorin” para ndeshjes, ata do të qeshnin me mua ose do të thërrisnin mjekun duke i thënë se jam i sëmurë. Para finales, unë i shikova gjashtë ndeshje të Romës për t’i parë pikat e dobëta, kam punuar 18 orë, nga tre për secilën ndeshje. Natyrisht, duke mos llogaritur dhe orët shtesë të shpenzuara mbi caktimin e formacionit. Natyrisht, është më lehtë të zgjedhësh një film dhe t’ua japësh futbollistëve ta shikojnë, por Ranieri duket se ka harruar që lojtarët e tij janë kampionë dhe jo fëmijë”.

“Unë kurrë nuk kam thënë se jam fenomen, por nuk jam fajtor pse më kanë angazhuar te Chelsea më 2004 dhe nuk jam fajtor pse i pyesja lojtarët se pse Ranieri nervozohej kur ata e përmendnin fitoren. Nuk është faji im”, ka shtuar strategu portugez. /Telegrafi/