Një analizë neutrale e karrierës së Jose Mourinhos mund të sjellë deri te përfundimi se kulmi i suksesit të tij ishte te Interi në vitin 2010 kur e fitoi tripletën.
Mirëpo, në një prononcim të fundit, ai ka deklaruar se përvojën më të mirë në futboll e ka pasur gjatë kohës sa ishte trajner i Real Madridit.
“Real Madridi ishte përvoja ime më e mirë, për atë që kam mësuar si trajner, si njeri, për mësimet që i kam marrë në karrierë dhe në jetë. Është kujtimi më i mirë në karrierën time, ishte fantastike”, kanë qenë fjalët e Mourinhos.
Në ndërkohë, derisa Zinedine Zidane është nën presion për fillimin jo të mirë të sezonit, mediat spanjolle po raportojnë se strategu portugez dëshiron të kthehet në Santiago Bernabeu.
Gjatë tre viteve të tij te Reali, 56-vjeçari fitoi një titull të La Ligas, një trofe të Kupës së Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës.
Sukses që nuk mund të krahasohet me atë Zidane, i cili në qëndrimin e tij të parë, i fitoi tri Liga të Kampionëve rresht, një La Liga, një Superkupë të Spanjës, dy Superkupa të Evropës dhe dy Kupa të Botës për Klube.
Megjithatë, situata tash ka ndryshuar dhe Mourinho është duke u përpjekur të gjejë rrugë për ta zënë vendin e legjendës franceze të futbollit. /Telegrafi/