Site icon Telegrafi

Mourinho: Nuk mendoj se Lampard do të dëshironte të flasë me mua

(Foto: Premier League)

Jose Mourinho nuk mendon se duhet ta kontaktojë Frank Lampardin pas shkarkimin nga Chelsea, sepse mendon që anglezi nuk do ta dëshironte një gjë të tillë.

Blutë vendosën ta shkarkonin 42-vjeçarin të hënën, ndërsa Thomas Tuchel pritet ta marrë drejtimin e ekipit nga Liga Premier.

Në ndërkohë, trajneri i Tottenham Hotspur, i cili ka qenë trajner i Lampardit te Chelsea (gjatë viteve 2004-2007 dhe sërish në vitin 2013), nuk mendon se i takon atij të flasë me lojtarin e dikurshëm me të cilin arritën suksese të shumta bashkë (dy tituj të Ligës Premier, dy Kupa EFL, një Kupë FA dhe një Community Shield).

(Foto: Instagram/franklampard)

“Nuk mendoj se Frank dëshiron të flasë me mua ose me këdo tjetër, pos atyre në rrethin familjar dhe miqtë e ngushtë”.

Lexo po ashtu Lampard shkruan me shumë emocione për Chelsean edhe pse e shkarkuan

“Por, unë gjithmonë pikëllohem kur një koleg e humb punën, ndërsa Frank nuk është vetëm një koleg. Ai është një person i rëndësishëm në karrierën time dhe më vjen keq për atë që ka ndodhur”.

“Mirëpo, ky është brutaliteti i futbollit, sidomos i futbollit modern, prandaj kur bëhesh trajner veçmë e di se herët ose vonë do të të ndodhë edhe ty”, ka deklaruar Mourinho në një konferencë për shtyp. /Telegrafi/

Exit mobile version