Site icon Telegrafi

Mourinho gëzon Romën, refuzon ofertën e Portugalisë

Jose Mourinho do t’i qëndrojë besnik skuadrës italiane AS Roma, duke refuzuar të largohet.

Trajneri portugez u kontaktua nga Federata e Futbollit të vendit të tij, pas largimit të trajnerit Fernando Santos.

Megjithatë ‘Special One’ është i lumtur te Roma dhe për momentin ka refuzuar të marrë drejtimin e Kombëtares së tij.

Portugalia i kishte bërë të qartë Mourinhos se do t’i lejonte edhe qëndrimin te Roma, por edhe postin e përzgjedhësit, megjithatë as kjo ofertë nuk e ka bindur Mourinhon.

Kontrata aktuale e portugezit me Romën skadon në verën e vitit 2024 dhe në kryeqytetin italian janë shumë të lumtur me të.

59-vjeçari e ka përmendur shpesh herë se një ditë ëndërron ta drejtoj vendin e tij, por për momentin nuk është koha e duhur.

Gjithsesi mediat portugeze kanë raportuar se ish-anëtari i Inter, Chelsea, Man Utd, Porto, Real Madrid e Tottenham Hotspur i ka thënë drejtuesve të FFP se një ditë do të marrë drejtimin e Kombëtares. /Telegrafi/

Exit mobile version