Site icon Telegrafi

Mourinho e ngrit në qiell kapitenin Harry Kane

Tottenham Hotspur ka shijuar për dy orë pozitën e parë në Ligën Premier, por pastaj ai vend është marrë nga Leicester City.

Skuadra e trajnerit portugez Jose Mourinho pas tetë ndeshjeve ka grumbulluar 17 pikë, vetëm një më pak se lideri Leicester City.

Special One ka folur rreth mundësisë që skuadra e tij ka për ta fituar titullin në Ligën Premier, që do të ishte i pari në histori të klubit.

Ai ka thënë se është herët për tu entuziasmuar, pasi Liga Premier dallon nga kampionatet tjera.

“Është shumë herët për t’u entuziazmuar. Në vendet e tjera, duke marrë parasysh pozicionin tonë në renditje, ne do të konsideroheshim midis kandidatëve për të fituar titullin. Por Liga Premier është një histori tjetër. Këtu mund të keni një sezon të shkëlqyeshëm dhe më në fund të shihni Liverpoolin ose Manchester City-n para jush”, ka deklaruar Mourinho.

Tutje portugezi ka folur edhe për kapitenin e Spurs, Harry Kane i cili ka shënuar 150 gola deri më tani, duke e vlerësuar lartë.

“Jam i lumtur që ai e ka arritur këtë objektiv, por mbi të gjitha jam i lumtur që Harry luan për ne. Është unik. Puna e tij për ekipin vlen aq sa golat e tij. Përveç shënimit, ai rikuperon shumë topa dhe fiton shumë dyluftime”, u shpreh Mourinho. /Telegrafi/

Exit mobile version