Telegrafi

Mourinho flet pas humbjes në Olimpico: Më shumë kemi vuajtur nga Monza e Cremonese se sa nga Atalanta

Roma ka pësuar humbje në Olimpico nga Atalanta me rezultat minimal 0-1.

Ka qenë një humbje e dhimbshme për Giallorosët të cilët e kanë dominuar ndeshjen nga minuta e parë e deri në të fundit.

Bergamaskët patën një goditje në portë dhe e shfrytëzuan duke shënuar, derisa Jose Mourinho ka thënë se më shumë kanë vuajtur mbrojtësit e tij ndaj Monzas dhe Cremoneses se sa ndaj Atalantës.

“Mund të fitonim lehtësisht për nga mënyra se si luajtëm. Ishte ndeshja më e lehtë për ta fituar këtë sezon, në bazë të asaj që krijuam. Humbja nuk më pëlqen kurrë, por loja dhe shpirti i ekipit absolutisht po”, tha Mourinho.

“E kemi dominuar dhe ekstra dominuar kundërshtarin. Mbrojtja jonë vuajti më shumë me Monzan e Cremonesen në Olimpico se sa me Atalantën. E vetmja gjë e keqe ishte finalizimi, pasi krijuam shumë, por ky është futbolli”, tha portugezi.

Special One foli edhe për lëndimin e Paulo Dybalas gjatë nxehjes para se të niste ndeshja, derisa zbuloi se edhe kapiteni Lorenzo Pellegrini u lëndua, por vendosi të luante.

“Lëndimi i Dybalas na ndryshoi krejt planet, ishte shumë e vështirë ta humbim një lojtar si ai 30 minuta para fillimit të ndeshjes. Imagjinoni Dybalan në fushë në një ndeshje si kjo me kaq shumë raste shënimi”.

“U lëndua edhe Pellegrini, por qëndroi në fushë si kapiten i vërtetë për të ndihmuar shokët. Të shohim tani nëse na mjaftojnë 15 ditë për t’i rikuperuar Dybalan dhe Pellegrinin, pasi vërtetë kemi shumë lëndime”, tha Special One.

Mourinho u largua nga ndeshja me karton të kuq, derisa ai foli për atë pjesë.

“Gjyqtarin e pyeta pse nuk dha penallti për Zaniolon në pjesën e parë. Ishte e pastër. Pengimi ishte i qartë, por ai nuk u rrëzua. A s’ka penallti pa rrëzim? Nëse jo, unë duhet t’iu them futbollistëve të mi të rrëzohen”, u shpreh Mourinho. /Telegrafi/