Trajneri i Romës, Jose Mourinho, e ka vënë në dyshim të ardhmen e tij, ndërkohë që spekulohet se mund të jetë tunduar për një rikthim te Chelsea për zëvendësimin e Graham Potter.
Portugezi është pyetur për të ardhmen e tij gjatë një konference për shtyp, ndërkohë që Blutë janë pa trajner dhe emri i tij është në listën e dëshirave të klubit anglez.
“Unë nuk flas për të ardhmen time me miqtë apo gazetarët. Shefi jonë ekzekutiv, (Pietro) Berardi, ka thënë disa muaj më parë se unë do të kisha qëndruar, por është interpretimi i tij i gjërave dhe e njëjta gjë vlen edhe për (gazetarin Ivan) Zazzaroni”.
“Nga pikëpamja e kontratës, më ka mbetur edhe një vit, por kontratat ndonjëherë nuk janë gjëja më e rëndësishme”, ka thënë Mourinho.
Nën drejtimin e 60-vjeçarit, Roma po vazhdon të jetë konkurrentë për një vend në top-katërshe në Serie A dhe është kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Evropës. /Telegrafi/