Shënjestra e Manchester United, Bruno Fernandes, e ka befasuar Jose Mourinhon me paraqitjet që kishte në sezonin që lamë pas.
Raportohet se Djajtë e Kuq janë duke tentuar ta transferojnë yllin e Sporting Lisbonës për 65 milionë euro, gjersa në sezonin që përfundoi ka shënuar 29 gola në 48 ndeshje, duke dhuruar edhe 18 asistime në të gjitha garat.
Fernandes gjithashtu ka arritur të tërheqë edhe vëmendjen e Manchester Cityt, por Unitedi është duke tentuar që ta transferojë atë qysh në fillim të muajit qershor.
“Jam i befasuar nga sezoni i Bruno Fernandes. Ishte e thjeshtë që t’i parashikoni cilësitë e tij, ai është një lojtar i shkëlqyer, por që ka shënuar po ashtu një numër të lartë të golave si një mesfushor”, ka thënë trajneri portugez në Eleven Sports.
“Aty tregohet se duhet të keni një instinkt për gola dhe kualitete që ai tashmë i ka. Ai lëviz shumë mirë me topin, gjuan me kokë, është i ftohtë kur është përballë me portierin. Ai gjen hapësirën në zonën e penalltisë”, ka shtuar më tej Mourinho.
Manchester City është duke e kërkuar Fernandesin që nga vera e kaluar, por tani rivalizohet nga Manchester Unitedi, ndërsa klauzola e tij është 65 milionë euro. /Telegrafi/