Telegrafi

Mourinho arsyetohet se pse Guardiola ka një trofe më shumë se ai

Jose Morinho dhe Pep Guardiola janë padyshim ndër trajnerët më të suksesshëm të botës së futbollit.

I pari ka fituar deri më tani 25 tituj ndërsa spanjolli ka një më shumë, ku të fundit e ka fituar ditë më parë me Manchester Cityn duke shpallur kampion i Ligës Premier.

Trajneri portugez ka një arsyetim se pse homologu i tij ka më shumë tituj ani pse karrierën prej trajneri e ka filluar më vonë se ai.

“Kjo dëshmon se pse jam këtu, me njëzet e pesë tituj, nëse do të qëndroja në Porto dhe Inter pasi fitova Ligën e Kampionëve, do të kisha luajtur Superkupën Evropiane, atë kombëtare, Kupën e Klubeve dhe mund të kisha 31 tituj. Nuk përqendrohem në numra”, pohoi portugezi.

Ai më tutje ka folur rreth mundësisë së angazhimit te skuadra e Paris Saint-Germainit, ku ka mohuar se do të merr drejtimin e francezëve.

Ndryshe, 56-vjeçari sezonin e ri pritet të jetë trajner i ndonjërës prej skuadrave evropiane pas shkarkimit nga Manchester United. /Telegrafi/