Motrat Prenga në pjesën e dytë të kampionatit do të përbëjnë gjysmën e ekipit që do të jetë në fushë për Dritën e Gjilanit, shkruan sot Koha Ditore.
Më e vogla prej motrave, Adelajda, te Drita ka zbarkuar fillimisht disa vite më parë. Në fillim të tetorit të vitit të kaluar ajo u kthye në klubin gjilanas, por këtë herë së bashku me motrën më të madhe Amarildën. Ndërkohë këtë fundjavë Amarildës dhe Adelajdës iu bashkua edhe motra që me moshë është në mes tyre, Arjola Prenga.
Arjola Prenga vlerësohet aktualisht volejbollistja më e mirë shqiptare. Amarilda është ndër më të mirat në histori të Shqipërisë.
"U bënë shumë vite që jam larg familjes dhe kisha shumë dëshirë që të rikthehesha. Duke qenë se motrat e mia po luajnë bashkë te klubi i volejbollit Drita, edhe mua më është shtuar shumë dëshira që t’u bashkohem atyre", ka thënë të dielën për gazetën Arjola Prenga. Ajo së fundi ka luajtur me plot sukses në Norvegji.