Telegrafi

Motoçiklistët takojnë atë që besohet të jetë pjesëtari i një fisi të zhdukur (Video)

Grupi i motoçiklistëve, që po udhëtonin nëpër një mal në Sumatra të Indonezisë, kanë mbetur të befasuar kur takuan një burrë gjysmë të zhveshur.

Në momentin që e ka parë këtë njeri me trup mjaft të shkurtër, njëri prej tyre është rrëzuar, derisa të tjerët kanë provuar t’i vihen pas, transmeton Telegrafi.

Siç mund ta shihni në filmimin e postuar më poshtë, pasi iku prej grupit nëpër shtegun me baltë, ai hyri në shkurre për të mos u parë më.

Shikuesit e videos, mendojnë se ai i përket fisit Mante, që është zhdukur shumë kohë më parë.

“Bazuar në formë e trupit dhe shpejtësinë e lëvizjes, ky është pjesëtari i fisit që jeton në fshehtësi së bashku me kafshët e egra”, është komentuar rasti.

Mirëpo, njohësit heqin mundësinë se i përket atij populli që dikur jetonte në Indonezi, sepse ata janë zhdukur para shekullit të 17-të.

Madje, dy të fundit që ishin zënë, i janë dërguar si trofe sundimtarit të kohës, ndërsa më pas i janë bërë studime ndërtimit të tyre trupor. /Telegrafi/