Site icon Telegrafi

Moti i nxehtë aktivizon ekipet e Kryqit të Kuq në qytetin e Shkupit

Kryqi i Kuq i qytetit të Shkupit, me mbështetjen e Qytetit të Shkupit, sot filloi aktivitetet në terren për përballje me valën e nxehtë të paralajmëruar.

“Ekipet mobile të Kryqit të Kuq nga sot (21.07.2022) deri (28.07.2022) të enjten, do të jenë në terren ku do të shpërndajnë ujë për qytetarët në disa lokacione të frekuentuara nëpër qytet (stacione autobusi, ambulanca, markete…) si dhe materiale informative me këshilla për qytetarët për mbrojtjen nga temperaturat e larta, konsumimin dhe përgatitjen e ushqimit. Përveç kësaj, ekipet e Kryqit të Kuq, nëse është e nevojshme, do të masin edhe presionin e gjakut të qytetarëve që ankohen për probleme shëndetësore, ndërsa në raste emergjente, nëse te ndonjë person vërehet problem më serioz shëndetësor, i njëjti do të transportohet në institucionin më të afërt shëndetësor ose dërgohet në shtëpi nëse ka nevojë për terapi në kushte shtëpiake”, thuhet në njoftim.

Këto aktivitete në terren po organizohen për përballimin e valës së nxehtë dhe do të realizohen nga 30 vullnetarë të trajnuar nga Kryqi i Kuq.

Theksojmë se vendi nga sot është në fazën portokalli për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta.

Faza portokalli sipas sinoptikëve do të zgjas deri ditën e dielë.

Exit mobile version