Një punëtor 51-vjeçar u mbyt pasi uji e përfshiu atë në një kanal ndërsa ishte duke vlerësuar dëmet nga vala e motit të lagësht dhe dimëror pranë Potenza në Italinë e Jugut.
Veç kësaj, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, diku tjetër, rrëshqitjet e dheut, ortekët, shiu i rrëmbyeshëm dhe lumenjtë që thyejnë brigjet e tyre e kthyen fundjavën e parë në dhjetor në një makth dhe gjunjëzuan pjesën më të madhe të vendit.
Veneto dhe Trentino në verilindje të largët pësuan alarme ortekësh, ndërsa rrugët dhe lidhjet hekurudhore u ndërprenë nga bora e madhe dhe përmbytjet.
Guvernatori i Venetos, Luca Zaia është vendosur të kërkojë një gjendje fatkeqësie.
Në Emilia-Romagna kishte përmbytje nga lumenjtë Secchia dhe Panaro – ky i fundit theu brigjet pranë Modenës.
Një automjet zjarrfikësish u përplas në një lumë të rrëmbyeshëm afër Bolonjës dhe ekipi i zjarrfikësve duhej të shpëtohej, pasi një urë u shkatërrua.
Siç bëhet e ditur, Italia Veriore dhe Jugore pësuan reshje të mëdha shiu dhe dëbore.
Roma u shoqërua nga stuhi dhe rrebeshe të rrëmbyeshme dhe hyrja në brigjet e Tiberit u mbyll pasi lumi po afrohej niveleve të rrezikshme të larta.
Milano, Firence, Napoli dhe Palermo gjithashtu pësuan stuhi të mëdha shiu. /Telegrafi/