Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta që kanë përfshirë mbrëmjen e djeshme të gjithë vendin kanë shkaktuar përmbytje të rrugëve në Tiranë dhe disa qytete.
Por situata është kthyer në normalitet në orët e para të mëngjesit me pushimin e reshjeve të shiut ku automjet kanë qarkulluar pa probleme.
Si pasojë e erërave të forta nga moti i keq në Shkodër janë rrëzuar pemët duke bllokuar rrugët dhe duke dëmtuar disa makina.
Prej orës 6 të mëngjesit ndërmarrja e ujësjelles kanalizimeve ka zbritur në terren për ndërhyrje në pikat më problematike.
Në bashkinë e Gjirokastrës pas reshjeve të shiut situata paraqitet pjesërisht e qete dhe pa probleme.
Sipas burimeve te Report TV në aksin rrugor Kolonjë-Golem ka pasur prurje nga përrenjtë malorë dhe rruga kalohet me vështirësi në disa vende.
Ndërsa në Kukës, reshjet e shiut kanë shkaktuar një sërë problemesh e kryesisht në infrastrukturën rrugore, ku për shkak të reshjeve të shiut ka pasur rrëshqitje të dherave.
Probleme ka pasur edhe me mungesën e energjisë elektrike në fshatrat e njësive Kolsh e Surroj të Kukësit.
Moti i keq ka shkaktuar probleme dhe vonesa edhe me nisjen dhe mbërritjen e trageteve në portin e Durrësit.
Situatën me përmbytje e paralajmëroi edhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile e cila u dërgoi mbrëmjen e së premtes një shkresë 5 prefekturave. Agjencia thotë se zonat e rrezikuar janë Shkodra, Lezha, Fieri, Vlora dhe Gjirokastra. /Shqiptarja/