Site icon Telegrafi

Moti i keq, gjashtë të vdekur në Itali – në Greqi mbyllen shkollat

Moti i stuhishëm që nisi fundjavën e kaluar në disa vende mesdhetare u ka marrë jetën të paktën 6 personave dhe ka rrëzuar mure e pemë në Itali dhe Greqi.

Viktima më e fundit u raportua të dielën në periferi të Romës, ku i moshuari 61-vjeçar që kishte hipur në çati për të rregulluar antenën humbi ekuilibrin dhe u rrëzua nga një lartësi rreth 6 metra, duke mos i mbijetuar goditjes.

Ndërkohë, tre të rinj të moshës 21 deri 27 vjeç mbeten të zhdukur pasi makina me të cilën ata po udhëtonin u tërhoq drejt detit nga rrymat e forta të ajrit.

Erërat e fuqishme që u përqendruan fillimisht në rajonin e Lacios dhe Kampanjës kanë zbritur rrezikshëm në pjesën jugore të vendit, siç është Sicilia, përcjell oranews.tv.

Dëmet në infrastrukturën rrugore dhe rënia e pemëve mbi shina kanë pezulluar lëvizjen e trenave në disa rajone të jugut dhe qendrore; shkollat dhe parqet në qytetin e Napolit vazhdojnë të mbeten mbyllur për arsye sigurie.

Dhjetëra shkolla raportohet të jenë kyçur edhe në Greqi apo Kretë si pasojë e valës së acartë që pritet të zbutet duke filluar nga dita e hënë.

Bora e dendur dhe stuhitë e forta me shpejtësi deri në 140 kilometra në orë kanë prekur transportin rrugor, detar dhe ajror për shkak të fushëpamjes së kufizuar dhe dallgëzimeve, ndërsa rrugët në zonat më malore janë mbyllur ose është bërë e detyrueshme kalimi me zinxhirë.

Autoritetet vendase njoftojnë se gjatë ditës së diel kanë marrë mbi 280 telefonata nga qytetarët për heqjen e pemëve të rrëzuara ose për objektet e tjera siç janë tabelat rrugore, por fatmirësisht nuk janë raportuar incidente fatale.

Exit mobile version