Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se ashtu siç po ndodh prej disa ditësh tashmë edhe për këtë fundjavë Shqipëria do të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike si rezultat i masave ajrore të thata me origjinë veriperëndimore.
SHMU njofton se kjo situatë vjen si pasojë e veprimtarisë së një Anticikloni të zgjeruar që ka përfshirë një pjesë të madhe të Evropës duke sjell mot të kthjellët dhe mjegull të dendur në orët e mëngjesit.
“Nga sa u përmend edhe më lartë vendi ynë për këtë fundjavë parashikohet me mot të kthjellët në të gjithë territorin si dhe vranësira fare të pakta kalimtare. Gjithashtu në orët e mbrëmjes dhe mëngjesit parashikohet mjegull e dendur dhe mjegullinë për shkak të lagështirës së lartë në këto orë”, thuhet në njoftim.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 4 deri në 13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 17 deri në 24. /Telegrafi/