Site icon Telegrafi

Mosuli në duart e qeverisë irakiane, pritet deklarata e fitores

Ushtria irakiane po pastron edhe vrimat e fundit të rezistencës së militantëve të Shtetit Islamik në Mosul, pas një beteje tepër të gjatë për të rimarrë nën kontroll qytetin.

Pas festimeve të një dite më parë nga ushtarët, shumë shpejt pritet një deklaratë zyrtare për triumfin nga autoritetet qeveritare.

Forcat irakiane, të mbështetura nga sulmet ajrore amerikane, janë përpjekur të shtien në duart e tyre qytetin që prej 17 tetorit të vitit të kaluar.

Shteti Islamik zaptoi Mosulin në qershor të vitit 2014, përpara se të shtrihej më pas në pjesën më të madhe të bastioneve të sunitëve arabë të Irakut, për të deklaruar më tej formimin e kalifatit, me territore të zaptuara në Irak e Siri.

Por, militantët xhihadistë kanë humbur territore vazhdimisht gjatë 9 muajve të fundit, teksa forcat qeveritare avanconin në një prej ish-qyteteve më të mëdha të Irakut, përpara zhvendosjeve masive.

Luftëtarët peshmerga kurdë, fiset arabo-sunite dhe milicitë shiite, të mbështetura nga avionët e koalicionit të udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara dhe këshilltarë ushtarakë amerikanë, janë përfshirë në këtë betejë.

Të shtunën, xhihadistët u spostuan dëshpërimisht në një periferi të vogël pranë qytetit të vjetër. Televizioni shtetëror njoftoi se trupat irakianë priteshin të merrnin kontrollin e plotë të Mosulit brenda pak orëve.

Qeveria e ka shpallur “çlirimin” e plotë të Mosulit lindor që në janar, por perëndimi i qytetit përbënte një sfidë më të vështirë, për shkak të rrugëve të ngushta dhe në formë kurthesh.

Tetorin e kaluar, ushtria irakiane njoftoi se në qytet ndodheshin 6.000 militantë, ndërsa rreth 900 mijë banorë ishin larguar nga qyteti prej vitit 2014. /kp/

Exit mobile version